Ta nisim me disa të dhëna. Gjuajtjet e Milanit në portë: 0 në pjesën e parë, 4 në të dytën. Totali i goditjeve: 5 në pjesën e parë, 11 në të dytën. Golat e pritshëm: 0.49 në pjesën e parë, 2.17 në të dytën.Diçka duhet të ketë ndryshuar në gjysmë të rrugës të ndeshjes Napoli-Milan… Por, në gjysmë të rrugës Napoli-Milan, Konseisao hodhi Leaon në fushë dhe ndeshja ndryshoi plotësisht. Pra, kjo histori ka një moral: në Milanin e sotëm nuk ka kuptim që Rafa Leao të lihet jashtë, nuk ka kuptim që numri 10 të mos përfshihet, veçanërisht nëse titullar është Zhoao Feliks. Nuk është rastësi që tekniku luzitan dërgoi numrin 10 për t’u ngrohur pas 20 minutash: ai tashmë kishte ndryshuar mendje.
KONSEISAO DHE LËNDIMI- Lënia e Leaos jashtë formacionit titullar në thuajse 48 orë distancë, mbetet një nga temat e mëdha të përballjes Napoli-Milani. Konseisao, pas humbjes të së dielës, u tregua i sinqertë dhe tregoi për një shqetësim që numri 10 i “Djallit” kishte ndjerë disa orë para Napolit. Por, me mendje të frohtë, zgjedhja e teknikut edhe sot duket e pashpjegueshme në një Milan që duke humbur në “Maradona” humbi edhe shanset për të qenë pjesë e Ligës së Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Në këtë sezon, Leao ka regjistruar në 11 pankina dhe kjo është shumë. Në vitin e titullit të fundit të Milanit, ishin vetëm 6. Konseisao duket sikur nuk e preferon bashkëkombësin dhe në këtë zgjedhje ka shoqëri, sepse as Paulo Fonseka nuk mendohej dy herë për ta ulur në pankinë. Ja që ekipi ka nevojë për fantazi dhe driblime. Në këtë sezon, kemi parë shpesh që Milani nuk krijon, nuk ka ide me topin dhe mbështetet në veprime individuale, por nuk duhet harruar se Leao, mes individëve kuqezi, është më i talentuari, përveçse më i paguari.
GABIMET E LEAOS- Rafa është bashkëfajtor në sezonin e Milanit. Prej dy vitesh po përjeton shumë ulje-ngritje, si zakonisht, madje edhe më shumë. Ai po shënon më pak se në sezonet e mëparshme – 10 gola, një vit më parë ai arriti në 15, dy vjet më parë 16. Ajo që rëndon më shumë, është fakti se nuk ka bërë hovin në cilësi që të gjithë prisnin. Nga këtu deri te mendimi se nuk ka vend për të në Milanin më të mirë të mundshëm, rruga është shumë e gjatë. Në 8 ndeshjet e fundit të kampionatit, Leao ka qenë në stol 4 herë dhe është zëvendësuar një herë – në Torino, në një mbrëmje kur nuk ndihej mirë – në pjesën e parë. Është e vështirë të gjesh besim në një situatë të tillë.
MERKATO DHE ARABIA- Fusha do të na pushtojë mendimet për një muaj, sepse janë dy derbi për të luajtur dhe një ndeshje me Fiorentinën që do të ketë diçka për të thënë në kuadër të shanseve për një kualifikim në Ligën e Europës. Por së shpejti do të përfundojmë, duke folur për merkato, sepse me Rafën situata është gjithmonë e tillë. Ose flasim për rinovimin e kontratës, ose flasim për shitje të mundshme. Klauzola prej 175 milionë euro në kontratën e tij është transparente: ekziston, por është sikur të mos ishte aty, pasi sulmuesi nuk e ka atë vlerë. Tifozët janë të dyzuar kur flitet të, por shumë syresh do ta mbanin me kënaqësi, sepse Rafa është një pjesë e historisë së viteve të fundit të Milanit dhe ai te Milani ka qëndruar gjithmonë i vendosur. Binari që formonte me Teon gjithashtu nuk po ekziston më, Hernandez ka pasur qëndrime më të këqija gjatë gjithë sezonit. Atëherë, çfarë do të ndodhë? Epo, do të varet nga ofertat. Arabia, Europa: kushdo që ka një propozim për të bërë, mund të tentojë. Të sigurosh Leaon nuk është më aq e pamundur.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL