Rekordet nuk janë një pasion ose një obsesion, por ai i arrin njëri pas tjetrit dhe gjithmonë në horizont është Alesandro del Piero.Në shtator, kur shënoi golin e tij të parë në Champions, Kenan Jildiz i mori idhullit dhe paraardhësit të tij rekordin e më të riut debutues të Juventusit në Champions. Të shtunën, numri 10 i “Zonjës” arriti Moise Ken në krye të klasifikimit të lojtarëve nën 20 vjeç që kanë shënuar më shumë për Juventusin me 7 gola, duke lënë pas kapitenin e mëparshëm (6). Numra kampioni, në fushë dhe në statistika, një arsye e mirë për ta mbajtur afër, pavarësisht emrave të shumtë që duan ta “rrëmbejnë”.
Ata për Kenanin janë një lëvdatë, por jo një tundim, sepse ai dëshiron të qëndrojë në Torino, ku ka lulëzuar dhe ku e ndjen veten si në shtëpi. Dhe Juventusi, që nuk ka menduar kurrë seriozisht ta shesë, por ka pasur frikë se mund të detyrohet ta bëjë për të shpëtuar bilancin, tani falë rikapitalizimit që bëri Xhon Elkan, mund të studiojë një strategji për ta mbajtur atë gjatë verës.
SAKRIFIKIMI- “Kreu një veprim si Del Piero”, ky ishte komenti më i shpeshtë i tifozëve pas golit ndaj Xhenoas, i ndjekur nga një lutje: “Numri ynë dhjetë nuk duhet të shitet”. Ale ka qenë një jetë te Juvja, duke u bërë një emblemë, Kenan nuk e ka ende të qartë të ardhmen e tij afatgjatë, por atë afatshkurtër, po. Ai e sheh veten te Juventusi, sepse e do klubin dhe e ndjen se populli bardhezi e do, dhe është i bindur që Torino është vendi ideal për t’u rritur edhe më shumë. Disa ditë më parë, një “asist” ka ardhur drejtpërdrejt nga numri një i aksionerëve, Xhon Elkan. 15 milionët e siguruara, që mund të bëhen 110 në verë, e ndihmojnë klubin të marrë frymë, e të lehtësojnë presionin mbi numrin 10 dhe rriten shpresat për të qëndruar.
EUROPA– Elkan e duartrokiti Jildizin nga tribuna dhe si të gjithë, ndoshta ka menduar “Nuk mund të shitet një lojtar si ky”. Megjithatë, e rëndësishme do të jetë kualifikimi në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm, sepse pa të, Juventusi mund të detyrohet të sakrifikojë xhevahirin e tij për të kompensuar humbjet nga mungesa e të ardhurave nga kompeticioni më i rëndësishëm në Europë. Me vendin e katërt, nga ana tjetër, Juventusi mund të përmirësojë bilancin duke shitur lojtarë të tjerë, si Kambiazo, Vlahoviç e Mbangula, dhe të shpëtojë Kenanin.
HAUZEN– Në Kontinasa po rritet mbështetja për Jildiz edhe për faktin se nuk dëshirojnë të përsëritet “rasti Hauzen”. Mbrojtësi u shit te Bournemouth për 15 milionë plus bonuse, pasi nuk u pëlqye nga Mota, por gjithashtu për arsye financiare, ndërsa tani ai ka debutuar me Spanjën dhe për të janë të interesuar Real Madrid dhe Chelsea, të gatshëm të investojnë 50 milionë euro.
PANORAMASPORT.AL