Herri Kejn, protagonisti negativ i ndeshjes mes Bajernit të Mynihut dhe Interit, ka dhënë një intervistë të gjatë për “SkySport” në versionin gjermanisht. Sulmuesi, përveçse analizoi sfidën, nuk harroi të thumbonte edhe rivalët italianë, të cilët fituan sfidën e parë në stadiumin “Allianz”, me rezultatin 2-1.ANALIZA E FTOHTË – Sidoqoftë, sulmuesi nuk dorëzohet përpara ndeshjes së radhës dhe ka preferuar që me intervistën e tij t’u dërgojë një mesazh lojtarëve të Simone Inzagit.
“Ulje-ngritjet duhen duruar, futbolli kështu e ka dhe kështu është këtë herë edhe për ne. E mira është se do të kemi një tjetër mundësi. Kjo është një diçka pozitive dhe ne e dimë që tani se çfarë duhet të bëjmë në ndeshjen e radhës”, deklaroi 31-vjeçari. Siç e thamë, ai humbi disa raste të pastra, por nga përvoja e tij, dihet se edhe shanset e humbura janë pjesë e profesionit.
“Nuk ndodh shumë shpesh, por kjo është jeta e një sulmuesi. Uroj të jem më i saktë në sfidën e radhë. Duhet të shkojmë në Milano dhe të fitojmë ndeshjen. Kjo është ajo që ne synojmë të bëjmë. Por më përpara mendojmë për ndeshjen e së shtunës kundër Dortmundit, një rival që do ta përballoj me të njëjtin besim dhe me shpresën për të qenë në gjendje të shënoj përsëri”, shpjegoi Kejn.
OPTIMIZËM – Humbja me Interin ka rezultatin si pasojë kryesore negative. Kritikat e shumta për lojën nuk duket se do të cenojnë forcën e një grupi që po kalon një moment të vështirë, për shkak të mungesave të shumta. Sidoqoftë, Kejn mundohet të tregohet optimist.
“Nga ndeshja me Interin mund të marrim shumë gjëra pozitive. Mund të jetë një ndeshje e ngjashme në Milano dhe ne nuk është se presim që zikaltrit të ndryshojnë shumë. Tek Interi ka disa lojtarë të mëdhenj individualë, ndaj të cilëve duhet të jemi të kujdesshëm. Por, në përgjithësi, mendoj se kjo ndeshje mund të ishte dëshmi që edhe ne mund të jemi të rrezikshëm, pavarësisht mungesave. Në fund, ata festuan sikur të kishin kaluar që tani turin”, përfundoi numri 9 bavarez.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL