Sunday, 29. November 2026
Sport

Vlorë / Intensifikohen kontrollet rrugore në akset kryesore dhe pranë shkollave; dhjetëra masa e procedime brenda një jave

GS 29/11/2026 2 Min. Lesezeit

Policia Rrugore në qarkun e Vlorës ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimin e qarkullimit rrugor me pajisje bashkëkohore në të gjitha akset kryesore dhe pikat hyrëse-dalëse, me fokus të veçantë te parandalimi i aksidenteve dhe garantimi i sigurisë së nxënësve. Shërbimet policore kanë shtuar praninë pranë institucioneve arsimore para dhe pas orarit mësimor për të menaxhuar fluksin e trafikut dhe për të parandaluar shkeljet.

Vëmendje e shtuar u është kushtuar drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi, atyre që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, si dhe manovrave të rrezikshme që rrisin rrezikun e ngjarjeve rrugore me pasoja.

Si rezultat i aksioneve të zhvilluara gjatë një jave, janë arrestuar dhe proceduar penalisht 8 drejtues mjetesh. Nga ky bilanc, tre persona janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, tre janë proceduar penalisht për drejtim pa leje drejtimi, një është arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Gjatë së njëjtës periudhë janë shënuar edhe qindra masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Më konkretisht, janë vendosur 354 masa për tejkalim të kufijve të shpejtësisë, 153 për mospërdorim të kaskës mbrojtëse, 83 për parakalime të gabuara, 51 për xhama të zinj dhe 41 për mospërdorim të rripit të sigurimit. Gjithashtu, janë evidentuar 24 raste të përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 15 masa për drejtim nën efektin e alkoolit, 14 për mungesë siguracioni, si dhe 818 masa të tjera administrative për shkelje të ndryshme.

Kontrollet vijojnë në të gjitha akset e qarkut, ndërsa Policia Rrugore e Vlorës u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, të tregojnë kujdes të shtuar në timon dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë.

/rtsh.al/

Teilen: