Sipas “SportMediaset”, teksa pritet të vendoset se kush do të zgjidhet si drejtori i ri sportiv i Milanit, një emër i ri ka dalë për pankinën kuqezi. Bëhet fjalë për Xhan Piero Gasperini, trajneri aktual i Atalantas, të cilin Tare kishte tentuar ta punësonte në Lacio në të kaluarën kur ishte ende drejtues në klubin e kryeqytetit italian.Kandidatura e 63- vjeçarit po merr vrull sepse përveç pagës që do të ishte më e ulët se me Konten apo Alegrin, është një teknik që di të vlerësojë të rinjtë dhe nuk është se kërkon kampionë. Për më tepër, ai pret shansin e madh në karrierë pasi në të kaluarën dështoi vetëm pak javësh në stolin e Interit.
Në fund të shkurtit, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes kundër Empolit, vetë Gasperini, i cili ka kontratë me Atalantën deri në vitin 2026, bëri të ditur se nuk do të ketë rinovime të mëtejshme, kështu që ose këtë verë ose maksimumi verën e ardhshme ai do t’i thotë lamtumirë klubit të Bergamos. Çdo aventurë ka një fillim dhe një fund, do të shohim nëse kontrata do të skadojë më tej ose në fund të sezonit aktual siç është nuhatur edhe nga deklaratat e fundit të trajnerit, që jo më larg se një vit më parë triumfoi në Ligën e Europës.
AVENTURA E RE – Milani kërkon të hapë një cikël të ri dhe me drejtorin e ri sportiv do të vinte edhe një “udhërrëfyes” i ri teknik. Gasperini, siç thamë, di të nxjerrë në pah talentin dhe ajo kuqezi është një ndër akademitë më të pasur me talent në territorin italian siç e dëshmojnë emra si Liberali, Skoti apo edhe Kamarda, që prej dy sezonesh është pjesë e ekipit të parë. Edhe në nivel buxheti merkatoje, 63-vjeçari nuk do të ishte shumë kërkues, duke qenë se “Djalli” do të duhet të fokusohet vetëm të kampionati pasi Champions-i tashmë është utopi.
Edhe një arritje në Ligën e Europës përmes Kupës së Italisë është ende për t’u vendosur, ndaj në kushtet aktuale Gasperini duket i vetmi që mund të vërë me një mendje drejtuesit, ekipin dhe sidomos tifozët që nuk lënë rast pa protestuar kundër menaxhimit që po i bëhet klubit të tyre të zemrës që kur kaloi nën pronësinë e fondit “Elliott” të Xherri Kardinales. Kujtojmë se pronari është kontestuar hapur në ndeshjet e fundit të kuqezinjve dhe tifozët kanë protestuar edhe para klubit, duke kërkuar largimin e tij nga klubi i tyre i zemrës.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL