Favoritët e Ligës së Konferencës, Çelsi, udhëton drejt kryeqytetit polak për t’u përballur me Legian e Varshavës në ndeshjen e parë çerekfinale sonte mbrëma.
Që nga kualifikimi në këtë kompeticion, “Blutë” janë konsideruar favoritët kryesorë dhe e kanë përforcuar këtë status me paraqitje dominuese gjatë gjithë sezonit. Pasi përfunduan në vendin e parë në fazën e ligës me një rekord 100% fitore, Çelsi e vijoi këtë formë, duke fituar të dyja ndeshjet e fazës së 1/8-ave ndaj gjigantëve danezë të Kopenhagenit muajin e kaluar. Skuadra e Enco Mareskës tani ka një rrugë të favorshme drejt finales, duke qenë se do të shmangë përballjen me kundërshtarë nga pesë ligat më të mëdha të Evropës nëse kalon këtë çerekfinale.
Djurgardens ose Rapidi i Vjenës do të jenë kundërshtari i fituesit të kësaj përballjeje, ndaj Çelsi është pozicionuar në krye të listave të basteve për të ngritur trofeun muajin e ardhshëm në Vroclav, vetëm pak në perëndim të destinacionit të tyre të radhës, Varshavës. Çelsi mund të bëhet kështu klubi i parë që fiton të tria kompeticionet e UEFA-s për klube, ndërsa kanë gjithashtu edhe një titull të Kupës së Kupave në palmaresin e trofeve. Megjithatë, forma e skuadrës së Mareskës po bëhet gjithnjë e më pak bindëse javë pas jave, me pesë ndeshjet e fundit që kanë prodhuar tre fitore 1-0, një humbje 1-0 dhe një barazim 0-0 me Brentfordin fundjavën e kaluar, në të cilën sulmi i tyre dukej pa ide dhe pa rrezikshmëri.
Blutë janë ende në kërkim të fitores së parë jashtë fushe në kampionat për vitin 2025, me suksesin e vetëm në transfertë në 10 ndeshjet e fundit që ka ardhur kundër Kopenhagenit në raundin e kaluar. Megjithatë, Legia nuk do të jetë një kundërshtar i lehtë, pasi skuadra e Gonçalo Feio ka humbur vetëm një herë në shtëpi që nga mesi i shtatorit – edhe pse kjo humbje ndodhi pikërisht në Ligën e Konferencës ndaj Luganos gjatë fazës së ligës.
Legia i fitoi katër ndeshjet e para në fazën e grupeve, duke u bashkuar me Çelsin në krye të renditjes, por humbi dy të fundit dhe kaloi në çerekfinale duke e shmangur raundin e “play-off”-it. Fillimi i vitit 2025 ka qenë me rezultate të përziera për Legian, por pas fitores kundër rivalëve të tjerë të Konferencës, Jagiellonias, në Kupën e Polonisë, klubi nga kryeqyteti fitoi edhe ndaj Moldes pas kohës shtesë për të siguruar vendin në çerekfinale të këtij kompeticioni.
PANORAMASPORT.AL