Harry Kane dhe Lautaro Martinez do të përballen sonte “kokë më kokë” në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Dy sulmues të plotë, të kundërt për nga stili dhe rruga e ndjekur, por të bashkuar nga i njëjti fiksim: trofeu më i lakmuar në Europë, që të dyve iu ka shpëtuar në finale.
Ndeshja e parë, e vendosur nga një gol i argjentinasit dhe një shtyllë e anglezit, u vendos nga detajet (2-1 për zikaltrit). Sonte në “San Siro”, siç ka kujtuar Simone Inzaghi, Interi duhet të mendojë se po e nis gjithçka nga 0-0, jo nga 2-1 i Mynihut.
Kane është arketipi i sulmuesit elegant: këmbë prej numri 10, inteligjencë taktike, statistika prej kampioni të madh. Ka shënuar më shumë se të dy sulmuesit zikaltër (“ThuLa”), 374 gola në klube, por gjithmonë i ka parë titujt nga larg. As largimi nga Tottenhami dhe kalimi te Bayern Munich nuk i solli fat. Bavarezët, për herë të parë që nga viti 2013, humbën titullin e Bundesligës sezonin e kaluar.
Lautaro është fuqi, vrap dhe uri. Lider i heshtur, u rrit shpejt tek Interi, ku ka fituar dy kampionate (Serie A). Me Argjentinën ka ngritur tashmë “Copa América” (dy herë, herën e dytë si golashënuesi më i mirë) dhe Kupën e Botës. I mungon vetëm Champions-i. Më pak prolifik sesa Kane (176 gola në klube), por më ndikues në fazën e presionit, rikuperimit dhe sakrificës.
Statistikat pasqyrojnë dallimet: Kane shënon më shumë dhe vrapon më shumë, Lautaro është më i shpejtë dhe ndikon më shumë. E megjithatë, të dy janë zemra e gjallë e skuadrave respektive.
Vetëm njëri do ta vazhdojë rrugën drejt “kupës me veshë të mëdhenj”. Ai që do të shënojë më shumë, sigurisht. Ai që do të dijë të jetë vendimtar në momentin që ka më shumë rëndësi.