Europa do të mbajë frymën në mbrëmjen e dytë radhazi për çerekfinalet e kthimit të Ligës së Kampioneve. Paralelisht në “Bernabeu” dhe në “San Siro” priten 90 minuta ose më shumë mes spektaklit dhe magjisë së këtij kompeticioni.
Bajerni do të kërkojë përmbysjen e madhe, ndërsa zikaltrit një tjetër takim me historinë për gjysmëfinalet. Në gjashtë ndeshjet e fundit mes zikaltërve dhe bavarezëve ka një ekuilibër total, 3 fitore për Interin dhe 3 për Bajernin. Interesant është fakti që në këto 6 fitore vetëm një ka ardhur në shtëpi, 2-0 për Bajernin në “Alianz Arena” në nëntorin e vitit 2022.
* Bajerni ka fituar gjithmonë në 4 transfertat kundër Interit në kompeticionet europiane duke përfshirë edhe 3 në Champions, madje pa pësuar gol. Ka fituar 2-0 në 2006, 0-1 në vitin 2011 dhe 2-0 në vitin 2022. Kjo është ecuria më negative ndonjëherë e një ekipi italian ndaj një rivali në të gjitha kompeticionet (4).
* Interi ka kaluar turin në 21 nga 23 precedentë në fazën me eliminim direkt në Champions League pasi ka fituar ndeshjen e parë. Një nga këto eliminime ka ardhur në sezonin e kaluar kundër Atletikos së Madridit në fazën e 1/8- tave kur fituan 1-0 në shtëpi dhe u eliminuan në transfertë me penallti.
* Bajerni ka kaluar turin vetëm në një nga 8 sfidat me eliminim direkt në Champions pasi ka humbur ndeshjen e parë. Kjo ka ndodhur kundër Lacios në fazën e 1/8- tave.
* Interi është i pamposhtur në 14 ndeshjet e luajtura në shtëpi në Champions me 12 fitore dhe 2 barazime. Kjo është ecuria më e gjatë në këtë kompeticion, pasi arriti pikërisht që të thyente ecurinë me 22 ndeshje të Bajernit të Mynihut në sfidën e parë.
* Interi ka regjistruar 573 presing me intensitet të lartë në ndeshjen e parë kundër Bajernit, rekord për një skuadër në një ndeshje të vetme në këtë edicion të Champions-it.
* Lautaro Martinez ka shënuar në 4 ndeshjet e fundit në Champions dhe mund të bëhet lojtari i pestë zikaltër që gjen golin në 5 ndeshje në kompeticion madhor. Në të shkuarën vetëm 2 lojtarë kanë realizuar më shumë gola sesa argjentinasi (7 në këtë sezon), Krespo 9 në sezonin 2002-2003 dhe Eto në vitin 2010-2011 me 8 gola.
* Tomas Myler (162) mund të barazojë Lionel Mesin (163) me ndeshje të luajtura në Champions, i cili është i treti. Përpara janë Ronaldo me 183 ndeshje dhe Kasijas me 177. Me golin në ndeshjen e parë ndaj Interit, Myler u bë golashënuesi më i vjetër në një fazë me eliminim direkt (35 vjeç dhe 207 ditë).
* Benzhamë Pavar do të luajë ndeshjen e 50-të në Champions. Ai ka arritur të fitojë 40, të barazojë 5 dhe të humbasë vetëm 4. Ky është një rekord për 50 ndeshjet e para të një lojtari në Champions.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL