Shoqata e Trajnerëve në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës organizoi seminarin njëditor të dedikuar për trajnerët e portierëve.
Ky seminar, i cili u mbajt në Kampin Nacional Edukativ në Hajvali, ishte i ndarë në dy sesione, ku paradite u zhvillua ana teorike, derisa pasdite puna praktike lidhur me trajnimin e portierëve të grup-moshave të reja dhe atyre në nivelin senior/profesional.
Ligjërues në këtë seminar ishte instruktori i njohur gjerman i portierëve, Frank Thieltges, i cili ndau përvojën dhe filozofinë e tij të punës me trajnerët pjesëmarrës. Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të stilit personal në këtë profesion, duke i inkurajuar trajnerët kosovarë të zhvillojnë qasje autentike në edukimin e portierëve.
“Është kënaqësi të jem këtu – si herën e parë, ashtu edhe çdo herë tjetër. Për mua është gjithmonë një përvojë e veçantë të vij në vende të ndryshme dhe të kontribuoj në trajnimin e trajnerëve të portierëve. Secili vend është unik dhe ka nevojë të gjejë rrugën e vet të zhvillimit. Jam i bindur që Kosova ka trajnerë të përkushtuar me potencial për të formuar breza të rinj portierësh cilësorë”, u shpreh Thieltges.
Ai shtoi se përvoja e tij si trajner kombëtar në Luksemburg dhe Lituani, si dhe ligjërimet në vende të ndryshme të botës, i japin një pasqyrë të gjerë mbi sfidat dhe potencialin që ekziston në futbollin modern veçanërisht në zhvillimin e portierëve.
Temat kryesore të seminarit ishin: Teknikat moderne për trajnimin e portierëve të rinj dhe profesionistë; Ushtrimet praktike në fushë; si dhe përditësimi me standardet ndërkombëtare të trajnimit.
Ky seminar u organizua si pjesë e programit të mësimit të vazhdueshëm (CPD – Continuing Professional Development) për trajnerët me licencë në kuadër të FFK-së, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë dhe profesionalizmit në rolin e trajnerëve të portierëve në Kosovë.