Një thesar i vogël nga lojtarët që do të rikthehen nga huazimet, plus paratë që do të vijnë në rast kualifikimi në Champions, një kusht thelbësor për të ndërtuar një fushatë merkatoje të nivelit të lartë. Kështu Juventusi mund të shmangë sakrifica të mëdha në verë dhe të kufizohet vetëm në ndonjë largim funksional, për të mundur të përqendrohet te përforcimet prioritare.
Pa revolucione, sepse në fund të fundit, duke u nisur nga baza e krijuar, mund të mjaftojnë tre përforcime të mëdha për të synuar më lart, dhe për të rikthyer Juventusin në garë për titullin dhe për të qenë sërish konkurrues në Champions. Paranteza Tiago Mota i përket së kaluarës. Tani drejtuesit kanë filluar të punojnë për lëvizjet e ardhshme dhe kanë nisur të flasin për merkaton edhe me Igor Tudor, por kjo nuk do të thotë që kroati do të jetë trajneri edhe për sezonin e ardhshëm, pasi vendimet do të merren më vonë dhe jo vetëm në bazë të rezultateve.
Megjithatë, kjo tregon se sa besim ka Juventusi te trajneri, vlerësimet e të cilit do të kenë një peshë të konsiderueshme në strategjitë drejtuese për muajt në vijim. Xhuntoli dhe Tudor diskutojnë çdo ditë, për çështje të fushës, por edhe në mënyrë më të gjerë. Flitet për futboll dhe konkretisht për Juventusin e së ardhmes. Në çdo rast, nuk do të jetë një “vit zero”, sepse klubi beson se tashmë ka një grup të mirë, që ka nevojë për përforcime të sakta dhe jo për një rindërtim total. Do të varet nga shitjet, natyrisht, por të ardhurat nga Champions, plus ato nga Kupa e Botës për Klube, mund t’i lejojnë bardhezinjve të mbajnë lojtarë të rëndësishëm (si Jildiz) dhe të negociojnë për të tjerë. Le të hyjmë në detaje, duke analizuar situatën për sezonin e ardhshëm, repart për repart.
PORTA DHE MBROJTJA- Në portë, Juventusi nuk ka nevojë për ndryshime. Di Gregorio do të jetë titullari, Perin është ende nën kontratë ashtu si edhe Pinsolio, pra besueshmëri e lartë dhe një grup kompakt portierësh. Në mbrojtje, zgjedhjet do të varen edhe nga vendimi për trajnerin, por duke supozuar se do të vazhdohet me një mbrojtje me 3, ndërhyrjet mund të jenë minimale ose të papërfillshme. Përforcimi i verës do të jetë rikthimi i Bremer nga dëmtimi. Mungesa e tij ka ndikuar ndjeshëm në ecurinë e Juventusit këtë sezon. Për Renato Veigën, Juventusi do të bëjë një përpjekje me Çelsin, por nuk do të jetë e lehtë, ndërsa Kalulu do të blihet përfundimisht ashtu si Keli, dhe Gatti duket se do të qëndrojë. Operacioni Hançko ishte në tryezë, por zhvillimet e fundit e kanë bërë atë tepër të kushtueshëm dhe më pak të përshtatshëm.
MESFUSHA- Klubi bardhezi do të duhet të investojë në reparte të tjera. ideja është një përforcim i madh në mesfushë dhe një emër që mbetet në listë është Tonali. Një operacion i mundshëm vetëm nëse largohet ndonjë lojtar i rëndësishëm, konkretisht Duglas Luiz, aventurës së të cilit në Torino mund t’i vijë fundi pas vetëm një sezoni të vështirë për shkak të dëmtimeve. Vështirë që një fund sezoni i mirë të ndryshojë situatën. Ndërkohë, Kopmeiners është drejt qëndrimit. Në krah, gjithçka varet nga Kambiazo. Nëse qëndron, atëherë mirë, por nëse shitet drejt Anglisë, atëherë emri që intrigon më shumë është De Kajper nga Bryzh.
SULMI- Ndryshimet kryesore do të jenë në sulm. Vlahoviç pritet të largohet, Milik gjithashtu, Kolo Muani është në dilemë. Ëndrra është Osimhen, por kostot e larta të pagës së tij përbëjnë problem. Ndërsa emri më i nxehtë është ai i një tjetër nigeriani, Lukman nga Atalanta. Por në repartin ofensiv mund të vijë edhe një tjetër përforcim. Një tjetër qendërsulmues, si Hojlund nga Mançester Junajtid, i cili pëlqehet shumë në Torino, ose një sulmues anësor, në varësi të zgjedhjeve të dakorduara me trajnerin e ardhshëm dhe mundësive që do të ofrojë merkatoja që nga fillimi i qershorit, kur klubet do të fillojnë të riformatojnë skuadrat për Kupën e Botës për Klube.
PANORAMASPORT.AL