Felipe Melo ka tronditur opinionin publik me disa deklarata që ka bërë në emisionin “Selecao Sportiv” në lidhje me ish-shokun e tij të skuadrës dhe legjendën e Juventusit, Xhanluixhi Bufon.
Gjatë intervistës së tij, ai ka zbuluar varësinë e Bufonit me skedinat, ndërsa tregon se ish-gardiani bardhezi i ka kërkuar atij informacion për ndeshje në Serinë C braziliane.
FELIPE MELO- “E di që do të jetë një temë e diskutueshme sepse do të them diçka që pak njerëz e dinë. Kur luaja për Juventusin, qëndronim në një hotel në Torino, që ndodhej në një qendër tregtare, dhe kishte edhe një kinema”, shpjegoi mesfushori brazilian.
“Shkonim në kinema dhe Bufon vinte… ulej përpara kompjuterit, ose kishte me vete iPadin e tij, dhe vendoste skedina. Dhe më pyeste: ‘Mik, çfarë mendon për këtë ndeshje të Serisë C braziliane?’ Vinte baste dhe fitoi shumë para, por më pas edhe humbi shumë. Dhe nuk ishte vetëm ai, kishte edhe të tjerë që më pyesnin”.
HISTORIKU- Zbulime të forta dhe tronditëse, sepse edhe pse varësia ndaj lojërave të fatit e ish-kapitenit të Juves dhe Kombëtares nuk është më një sekret prej kohësh, në një intervistë në nëntorin e kaluar për TG1, Bufon kishte mohuar se kishte vënë ndonjëherë bast për futbollin, një praktikë e ndaluar që do të sillte pezullim.
DEKLARATAT E BUFON- “Ishte një dobësi e imja, derisa gjeta qendrën time. Për dikë është ves. Për mua ishte adrenalinë – tha Buffon në prag të daljes së autobiografisë së tij ‘Të biesh, të ngrihesh, të biesh, të ngrihesh’. – Për një gjë jam i sigurt, nuk kam bërë kurrë asgjë të paligjshme. Në fakt, nuk kam qenë kurrë nën hetim, nuk kam marrë kurrë një njoftim zyrtar. Sepse nuk kam vënë asnjëherë bast për Juventusin, Kombëtaren apo futbollin. Kam vënë gjithmonë dhe vetëm për basketbollin amerikan dhe tenisin”, tha Bufon në intervistën e tij për TG1.
Megjithatë, tashmë situata duket se ka ndryshuar me Felipe Melon, i cili ka zbuluar një sekret që Xhanluixhi Bufon e ka mbajtur prej kohësh. Felipe Melo dhe Xhanluixhi Bufon kanë qenë pjesë e së njëjtës skuadër që prej vitit 2009 deri në vitin 2011. Eksperienca e mesfushorit brazilian në Torino ka qenë gjithmonë me ulje dhe ngritje, për shkak edhe të karakterit të vështirë që Felipe Melo ka.
Nga ana tjetër Xhanluixhi Bufon, edhe pse ka folur shpesh për varësinë e tij ndaj lojërave të fatit, ka mohuar kategorikisht që të ketë luajtur skedina në lidhje me futbollin. Në Itali janë ngritur dyshime se mund të hapet një proces gjyqësor për Bufonin.
PANORAMASPORT.AL