Eliminimi nga Liga e Kampioneve i Real Madrid ka hedhur hije dyshimi për të ardhmen e Karlo Ançleotit. Në mediat spanjolle janë përmendur variante nga më të ndryshmet, mes të cilave edhe largimin e teknikut italian para finales së Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës.
Por burime të “Marca” kane mësuar se Perez ka vendosur që të presë dhe të shohë gjërat me shumë qetësi. Kjo do të thotë se pas ndeshjes së humbur ndaj Arsenalit ai është takuar normalisht me Ançelotin për të shprehur keqardhjen për daljen nga turneu, por asgjë më shumë.
Pritet që palët të takohen përsëri sot pas ndeshjes me Atletik Bilbaon dhe më pas, në një takim të dytë gjatë ditëve të para të javës në një nga kafenetë e qendrës stërvitore të klubit, siç veprojnë zakonisht kur duan të diskutojnë për të ardhmen.
“Marca” shpjegon se ajo që do të preferonte Perez, me përjashtim të ndonjë situatë dramatike në ndeshjet e ardhshme, është që çdo vendim ta marrë në maj, vetëm pasi të mësohet rrugëtimi i plotë i Realit në Kupë dhe në kampionat dhe të bëhet bilanci i sezonit. Vetëm atëherë do të vendoset nëse do të vazhdohet me Ançelotin dhe kush do të jetë trajneri që do të drejtojë ekipin në Botërorin e Klubeve. Gjithmonë nëse gjërat deri te takimi në kafene, të shkojnë ashtu siç pritet në kampin e “los blancos”.
PANORAMASPORT.AL