Një fitore sot kundër Lesterit (17:30), e kombinuar me një humbje të Arsenalit kundër Ipsuiçit, do t’i jepte Liverpulit titullin e njëzetë si kampion Anglie dhe mundësinë për të arritur kuotën rekord të 94 pikëve, rekord absolut në historinë e “Të kuqve”, të cilët mund ta arrijnë nën drejtimin e Arne Slot.Teksa ka vlerësuar rëndësinë e pikëve me ende gjashtë ndeshje të mbetura, holandezi është fokusuar më shumë te rinovimet, duke komentuar edhe rastin e Trent Aleksander-Arnold, i cili është i vetmi pa kontratë të re në skuadër.
PROJEKTI I KUQ – Dhe Slot, i cili mund të bëhej vetëm njeriu i dytë në 35 vitet e fundit për të udhëhequr liverpulasit drejt një titulli të lartë këtë fundjavë, pohoi se vendosmëria e klubit për të mbajtur Van Dajk dhe dëshira e tij për të qëndruar flet shumë për projektin. “Nënshkrimet e rinovimeve me lojtarë thelbësorë si Salah apo Van Dajk tregon se ne duam të mbajmë lojtarët tanë më të mirë. Po flasim për djem që kanë qenë të mrekullueshëm për shumë sezone radhazi.
Fakti që ne jemi në gjendje t’i mbajmë ata kur janë të lirë për të shkuar ku të dëshirojnë, dëshmon ambicien që kemi”, ka shpjeguar tekniku holandez në një deklaratë të postuar dje në kanalet zyrtare të klubit nëpër rrjetet e ndryshme sociale.
SITUATA E ARNOLDIT – Siç thamë, i munguari i dukshëm nga festa e rinovimeve në Liverpul, është Trent Aleksander-Arnold. Mbrojtësi i djathtë ka munguar në tri ndeshjet e fundit në kampionat, për shkak të një dëmtimi në kavilje të pësuar në humbjen e Champions-it kundër PSG-së në muajin e kaluar.
Slot zbuloi se anglezi mund të rikthehet për ndeshjen kundër Lesterit të dielën, por ai ishte i prirur të theksonte se çdo përfshirje do të vinte nga stoli. Arnold do të vlerësohet pas stërvitjes të sotme, pasi është rikthyer në stërvitje të plotë vetëm dy ditë më parë.