Virxhil van Dajk e ka cilësuar si “përtej ëndrrave të tij më të çmendura” faktin që Liverpuli është 13 pikë më shumë se Arsenali në kampionat.
I pyetur për ndjesitë e tij kur Arne Slot mbërriti verën e kaluar, Van Dajk tha:
“Erdha nga një Europian zhgënjyes, pata dy javë e gjysmë pushim, pastaj hyra direkt pa asnjë parasezon, kështu që gjithçka ishte paksa e pasigurt. Por, që nga dita e parë kur filluam të punojmë, besimi u rrit dhe pamë se çfarë jemi në gjendje dhe u përpoqëm të zbatonim udhëzimet që erdhën nga trajneri i ri”.
FESTË NGA DIVANI – “Të kuqtë” mund të fitojnë titullin në fushën e tyre të dielën kundër Totenhemit. Festa do të ishte automatike që nesër në fakt, nëse Arsenali humbet kundër Kristal Palasit. Mbrojtësi holandez zbuloi se ai dhe shokët e tij ka të ngjarë të mblidhen së bashku për të parë, si në vitin 2020, kur skuadra, që asokohe drejtohej Jurgen Klop, fitoi titullin pa luajtur sepse Siti mundej nga Çelsi. “Në këto nivele, vijimësia është gjëja kryesore.
Mendoj se e gjetëm që në fillim të sezonit dhe mendoj se është gjëja më e vështirë për ta ruajtur sesa për ta marrë. Jemi një grup i bashkuar dhe ia dolëm, por nuk e prisja që të ishim në këtë pozicion tani. 13 pikë më shumë në këtë moment të sezonit, është diçka që ka kaluar edhe ëndrrat e mia më të çmendura”, ka shpjeguar më tej 33-vjeçari që një javë më parë përfitoi edhe rinovimin e kontratës për dy sezone, duke qenë mbrojtësi më i paguar në Europë dhe i treti më i paguar në kampionatin anglez.
Në fund të deklaratës së tij, Van Dajk foli edhe për mundësinë e rinovimit për një shok aventurash si Tren Aleksandër Arnold. Edhe kur duhej të firmoste vetë, ai ishte i mjegullt në komentet e tij. Nuk kishte si të ishte ndryshe kur në lojë është firma e mbrojtësit të djathtë, që duket se i është vetëpremtuar Realit të Madridit. “Vetëm Trenti e di cili është vendimi. Të gjithë do të ishim të lumtur ta kishim në skuadër, por më e rëndësishme do të ishte lumturia e tij”, ka përfunduar deklaratën e tij kapiteni i Liverpulit.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL