A do ta shijojë së shpejti Tomas Myler “La Dolce Vita”, jetën e ëmbël, në Itali? Lojtari i kombëtares gjermane, Robin Gosens, do të ishte me siguri i lumtur për një transferim të yllit të Bajernit te klubi i Serisë A, Fiorentinës.
Gosens, i cili aktualisht është i huazuar te klubi italian nga Unioni i Berlinit, i tha “RTL/ntv” për 35-vjeçarin: “Mendoj se tifozët e çmendur pas futbollit në Itali do ta mirëprisnin me krahë hapur. Toskana është shumë e bukur. Ushqim i mirë, i dashur Tomas, shumë diell. Pra, aventura me siguri do t’ia vlente për ty”.
Për Mylerin, fundi i sezonit te Bajerni do të jetë mbyllja e një karriere pas pothuajse 25 vitesh në klub dhe 13 titujsh Bundeslige; kontrata e tij që po skadonte nuk u rinovua. Ai ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.
Pas barazimit 3-3 të Bajernit me Lajpcigun, Myler të paktën e bëri të ditur se është ende shumë i vendosur për të luajtur futboll. “Të vraposh drejt stadiumit të mbushur plot, bari i gjelbër, gjithçka që shkëlqen dhe pastaj fillojnë gladiatorët modernë, sigurisht, kjo ka tërheqjen e vet. Nuk kemi nevojë të flasim për këtë”, tha ai.
Firence nuk do të ishte krejtësisht jashtë diskutimit, sepse sipas informacioneve të “BILD”, një shteg në të vërtetë të çon në Toskanë. Sipas raportimeve, Firence ka thirrur një ndërmjetës për të shprehur interesin e saj për Mylerin. Gazetari italian i merkatos, Xhanluka di Marcio, zbuloi gjithashtu në një bisedë me portalin “Wettfreunde.net” se klubi tashmë ka kontaktuar agjencinë e menaxhimit të Mylerit (Kögl & Partner GmbH):
“Lidhur me Tomas Mylerin, mund të konfirmoj që Fiorentina e telefonoi agjentin e tij për të marrë informacion. Nuk ka asnjë marrëveshje, por ata e pyetën nëse Myler do të donte të transferohej në Itali, sepse asnjë klub italian nuk mund të barazojë pagën e tij te Bajerni i Mynihut”.
Ka një interes të madh për lojtarin, madje edhe në SHBA. Një klub që do të donte të nënshkruante me të është Los Anxheles. Ekipi nga Kalifornia është një klub partner i Bajernit dhe vetë futbollisti do të ishte i interesuar edhe për një aventurë përtej Atlantikut.
PANORAMASPORT.AL