Suksesi në Imola fundjavën e kaluar të Formula 1 ka një shije të ndryshme nga ai i arritur në Japoni për skuadrën Red Bull. Sipas drejtorit sportiv Christian Horner, paketa e përditësimeve që nisi në Miami dhe u kompletua në Imola dha rezultate të mira, me fitoren e Max Verstappen.
“Përditësimet funksionuan.
Për sa i përket degradimit të gomave ne mbajtëm ritmin me McLaren, madje ishim pak më mirë. Kur Safety Car doli, ne ishim pak nervozë, sepse një avantazh prej 18 sekondash u anulua, por Max u shkëput sërish.
Edhe Tsunoda pati një garë të shkëlqyer”, tha Horner.
“Në thelb, kjo ishte hera e parë që makina kthehej në krye duke dominuar.
E gjithë skuadra, përfshi edhe Max, e shohin se të gjithë po punojnë shumë dhe po shkojnë në të njëjtin drejtim. Për këtë arsye unë jam optimist për të ardhmen. Unë mendoj se Red Bull është rikthyer protagonist”, shtoi Horner.