Luka Modriç ka vendosur t’i japë lamtumirën Real Madridit pas Botërorit të Klubeve, duke mbyllur një epokë të lavdishme në klubin e njohur spanjoll. Por njëkohësisht, ka konfirmuar vazhdimin e asaj që tashmë në Madrid e cilësojnë si “mallkimi i shiritit”.
Modriç është kapiteni i pestë që largohet në 5 vitet e fundit nga madrilenët, duke vazhduar një trend që nisi me Serxho Ramos. Kur mbrojtësi u largua me destinacion PSG-në, shiriti i kaloi Marcelos. Por edhe braziliani më pas u largua nga madrilenët, me shiritin që i kaloi në krah Benzema si kapiten i parë.
Francezi gjithashtu u largua dhe shiriti si kapiten i parë i kaloi Naço Fernandez. Por edhe ai u largua nga klubi pas vitit kur u zgjodh si kapiten i parë i tij.
Erdhi radha e Modriç, i cili u emërua kapiten i parë i Realit në fillimin e edicionit aktual. Në fund, edhe kroati vendosi të largohej nga madrilenët, ndonëse ka treguar vazhdimisht se mund të paraqitet përsëri në nivele të larta.
Tani shiriti pritet t’i kalojë Dani Karvahal, i cili do të emërohet i parë për sezonin e ardhshëm, me Fede Valverde si të dytë, pasi Lukas Vazkez do të largohet nga “los blancos” gjatë verës gjithashtu.
PANORAMASPORT.AL