Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për emisionin “Andale Sport” ka komentuar edhe ndeshjen e Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë më 7 qershor.
Duke folur për paraqitjet e kombëtares kuqezi dhe sfidat personale, ai duelin me Serbinë, e quajti një ndeshje të thjesht futbolli.
“Edhe kjo ndeshje e ka sensibilitetin, por edhe eksperiencën që ka Shqipëria në organizimin e ndeshjeve kundër Serbisë apo pak a shumë si ndaj Greqisë. Ajo që duhet përqendruar është rezultati sportiv sepse në këtë grup, çdokush që ndjek futbollin e projekton Anglinë si vendin e parë dhe kjo ndeshje na jep mundësinë të vazhdojmë të ëndërrojmë ose na e zbeh atë.
Nga pikëpamja sportive vazhdoj të mendoj që është e vështirë dhe ka presion edhe për djemtë që luajnë. Kërkesat janë të larta dhe stadiumi do jetë i tejmbushur.”
A është frika e një incidenti në Tiranë?
“Ne bëjmë bashkëpunimin me institucionet organizative. Dhe i bëjmë thirrje gjithë mbështetësve ta shohin si një ndeshje futbolli. Të bashkëpunojnë me ne për të pasur një organizim pozitiv, me emocionet e një ndeshje futbolli. Incidentet nuk ndihmojnë askënd. Le të mbështesim skuadrën dhe të ecim përpara.”