Klubi i ardhshëm i Viktor Gyokeres duket se është bërë më i qartë, pasi një nga klubet e interesuara për të është tërhequr nga gara për firmën e tij.
Gyokeres është një nga sulmuesit më të kërkuar në futbollin botëror, pasi ka shënuar plot 97 gola në 102 ndeshje me Sporting Lisbonën.
Sulmuesi suedez duket se ka marrë dritën jeshile për t’u larguar nga Sporting gjatë verës dhe ka tërhequr interes të madh nga disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Arsenal është në kërkim të një sulmuesi të ri pas përfundimit të sezonit të tretë radhazi në vendin e dytë në Ligën Premier, por duket se ‘Topçinjtë’ nuk e konsiderojnë Gyokeres si objektivin e tyre kryesor.
Në fakt, sipas Fabrizio Romano, gjysmëfinalistët e Ligës së Kampionëve janë duke avancuar në negociatat për sulmuesin 22-vjeçar të RB Leipzig, Benjamin Sesko, me “diskutime që janë në zhvillim dhe po ecin mirë” mes të gjitha palëve të përfshira.
Slloveni pritet prej kohësh të transferohet në një klub të madh dhe raportet thonë se çmimi i tij pritet të arrijë në 75 milionë eurosh këtë verë.
Ky zhvillim i fundit mund t’i hapë rrugën Manchester United për të siguruar shërbimet e Gyokeres, i cili është stërvitur nga Ruben Amorim te Sporting dhe është shndërruar në një sulmues të klasit botëror.
‘Djajtë e Kuq’ e kanë nisur tashmë afatin kalimtar të verës me një marrëveshje prej 62.5 milionë eurosh për Matheus Cunha nga Wolves, ndërkohë që po shtyjnë gjithashtu për të firmosur me Bryan Mbeumo nga Brentford, në përpjekje për të transformuar sulmin e tyre.
Sipas The Mirror, Gyokeres ka ndryshuar mendje në lidhje me një transferim te United dhe është i gatshëm të ribashkohet me Amorimin, pavarësisht se klubi nuk arriti të sigurojë kualifikimin për Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Ai mund të jetë i disponueshëm për një shumë prej 60 milionë eurosh, më pak se klauzola e lirimit në kontratën e tij me Sportingun.