Portugalia dhe Spanja ofruan një spektakël të pritur në finalen e madhe të Ligës së Kombeve sonte në Munih të Gjermanisë. Fituesin e edicionit 2024-2025 e vendosën penalltitë pasi ndeshja në kohë të rregullt dhe dy herë në vazhdime përfundoi me rezultat të barabartë – dy me dy.
Kampion i ri, por për herë të dytë është Portugalia, e cila shfrytëzoi gabimin e Alvaro Morata që dështoi në penalltinë e katërt.
Pasi mposhtën gjermanët nikoqirë të turneut final në gjysmëfinalen e parë, skuadra portugeze kishte përballë kampionin e edicionit të kaluar – Furinë e Kuqe, ndërsa kjo e fundit preku finalen e dytë radhazi pasi eliminoi francezët në një ndeshje dramatike.
Spanjollët erdhën në epërsi me golin e Martin Zubimendi në minutën e njëzetegjashtë, por nuk kaluan më shumë se pesë minuta dhe portugezët u kundërpërgjigjën përmes Nuno Mendez për barazimin një me një, pas asistimit të Pedro Neto.
Furia e Kuqe dominoi në vazhdim të ndeshjes duke shënuar edhe golin e dytë, Mikel Oyarzabal, pas asistimit të Pedri në minutën e parë të kohës shtesë, me të cilin rezultat, një me dy, përfunduan edhe dyzetepesë minutat e parë.
Portugalia në pjesën e dytë ishte në kërkim të barazimit dhe vendosi një dominim të plotë në fushën e blertë duke arritur të shënojë përmes Cristiano Ronaldo në minutën gjashtëdhjetenjë për rezultatin dy me dy.
Ylli portugez dyzetvjeçar megjithatë nuk mundi të luajë deri në fund të nëntëdhjetë minutave lojë dhe u zëvendësua nga Ramos tre minuta para përfundimit të kohës së rregullt, dhe shiritin e kapitenit e mori Bruno Fernandez.
Në vazhdimin e parë Portugalia kërkoi me ngulm një penallti në minutën e njëqindtë, kur Nuno Mendes u rrëzua brenda zonës së rreptësisë kundërshtare, pas së cilës arbitri i ndeshjes ndëshkoi me karton të verdhë futbollistin portugez dhe atë spanjoll Alex Baena për kacafytje në fushë.
Edhe në vazhdimin e dytë portugezët u treguan agresivë dhe kishin raste të mira shënimi, teksa spanjollët ishin më të rrezikshëm në aksione të organizuara, por asnjëra nga kombëtaret finaliste nuk arritën të ndryshojnë shifrat, duke mbetur që kampionin e edicionit të katërt të Ligës së Kombeve ta përcaktojnë penalltitë.
Ramos u tregua preciz për Portugalinë, Merino barazoi për Spanjën. Vitinha u tregua shumë i saktë në penalltinë e dytë për portugezët, sikurse edhe mesfushori spanjoll Baena për dy me dy. Bruno Fernandes ishte ekzekutues i tretë i penalltisë për Portugalinë, që e realizoi pa problem.
Isco për spanjollët shënoi për tre me tre, edhe pse portieri portugez Costa lexoi goditjen e tij dhe gati ishte ta mbronte. Nuno Mendes shënoi golin e katërt, ndërsa Alvaro Morata dështoi të shënojë dhe Neves shënoi për pesë me tre duke i siguruar titullin e dytë ekipit të Cristiano Ronaldo.
Kujtojmë, edicionin e kaluar Spanja mposhti me penallti në finale Kroacinë për të fituar trofeun për herë të parë, pasi ndeshja pas njëqindenjëzet minutash lojë përfundoi me rezultat të barabartë, zero me zero.
Spanja deri para kësaj finaleje ishte e pamposhtur në dhjetë ndeshjet e Ligës së Kombeve, duke fituar gjashtë dhe duke barazuar katër. Spanja padyshim që ka pasur më shumë se çdo ndeshje tjetër, duke fituar nëntëmbëdhjetë nga dyzetedy takimet, në krahasim me Portugalinë që ka fituar vetëm gjashtë takime.
Këto dy kombëtare u takuan për herë të fundit në shtator të vitit dymijenjëzetedy kur Spanja fitoi një me zero në Portugali, në Ligën e Kombeve, falë golit të Alvaro Morata.
Portugalia kishte fituar edicionin e parë të Ligës së Kombeve 2018-2019 kundër Holandës.