Një tjetër projekt infrastrukturor sportiv është duke u realizuar në Kosovë. Fshati Baran në Komunën e Pejës po bëhet me fushë të re stërvitore, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Komunës së Pejës.
Ky projekt është pjesë e programit të UEFA-s “Hat-trick” për të zhvilluar sportin në çdo cep të vendit. Sipas planit të FFK-s, çdo 45 ditë po përfundon nga një fushë futbolli në Kosovë, duke krijuar hapësira të reja për zhvillimin e talenteve dhe përfshirjen e komuniteteve në sport, përcjellë KosovaPress.
Fusha në Baran ka përfunduar tashmë fazën e parë të punimeve, ndërsa gjatë kësaj jave do të nis edhe faza e dytë – shtrimi i tapetit sintetik.
Ky projekt jo vetëm që rrit kapacitetet infrastrukturore të futbollit në vend, por njëkohësisht forcon edhe komunitetet lokale, duke u ofruar të rinjve mundësi më të mira për stërvitje dhe zhvillim profesional.
Federata e Futbollit të Kosovës ka paralajmëruar se do të vazhdojë me këtë ritëm për të përmbushur objektivin e saj strategjik: modernizimin e infrastrukturës sportive në të gjithë territorin e Kosovës.