Me luftërat e kategorisë mbi 78 kilogramë te xhudistet dhe mbi 100 kilogramë te xhudistët, kanë përfunduar garat individuale në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest të Hungarisë.
Në Botëror, garuan 556 xhudistë nga 93 vende të ndryshme kurse Kosova është përfaqësuar me tre xhudistë, ndërsa ka siguruar dy medalje.
Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë derisa Laura Fazliu mori të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë për ta konfirmuar suksesin e Kosovës në këtë sport.
Falë këtyre medaljeve të fituara nga Krasniqi e Fazliu, Kosova është renditur në top-10 të shteteve më të suksesshme të Botërorit, pra ka përfunduar në pozitën e 10-të prej 93 vendeve.
Kosova tani numëron dhjetë medalje nga Kampionatet Botërore për të rritur. Po ashtu, Kosova i ka edhe pesë medalje olimpike, prej të cilave tri të arta si dhe ka plot 25 medalje nga Kampionatet Evropiane.