Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së ku nga 47 delegatë ishin prezentë 44 të tillë miratoi disa ndryshime, të cilat ishin në rendin e ditës.
Anëtarët votuan për përjashtimin e Shoqatës së Mjekësisë Sportive, e cila nuk është funksionale dhe në përputhje me ligjin.
Gjithashtu, u miratuan disa ndryshime në Statut që synojnë qartësimin, përmirësimin teknik dhe harmonizimin e dispozitave ekzistuese të Statutit. Ndryshimet përfshijnë saktësimin e emërtimeve ligjore të shoqatave anëtare, përmirësimet gjuhësore dhe redaktime për qartësi më të madhe, si dhe rregullime që lidhen me përfaqësimin, përbërjen e organeve statutore dhe transparencë institucionale.
U votua RSM Albania Sh.p.k. si auditues të pavarur dhe të jashtëm për vitin financiar 2025.
U zgjodhën anëtarët e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, që janë: Alban Nako, Skerdian Kurti, Brunilda Jani, Dritan Petova, Doriana Çeliku, Dritan Dema, Astian Ramaj, Sadleva Bodo, Borama Mustafaraj, Ermir Godaj, Erinda Meli, Jeronima Lulashi, Besjan Kadiu, Gerti Zela, Genc Cifligu.
Në asamble, anëtarët votuan për pranimin e dy shoqatave si anëtare të FSHF-së: Shoqata e re e Mjekëve Sportivë dhe Fizioterapistëve dhe Shoqata Shqiptare e Futsallit dhe Minifutbollit.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, anëtarët votuan për pezullimin pa afat të gjitha marrëdhënieve juridike të FSHF me KOKSH, deri në momentin kur:
– Gjendja e ligjshmërisë të rikthehet;
– Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të zbatohet plotësisht; – KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e vet dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes së sportit.