Brescia Calcio është përjashtuar nga pjesëmarrja në Serie C për sezonin 2025/26, dhe për herë të parë në historinë e saj 114-vjeçare, ish-ekipi i Serie A nuk do të përfshihet në garat profesionale.
Federata e Futbollit të Italisë (FIGC), të enjten ka bërë të ditur se Brescia nuk ka marrë licencën për të garuar në Serie C për sezonin e ri.
Në njoftimin e federatës, thuhet se ndër arsyet kryesore të përjashtimit është dështimi për të paguar borxhin prej 1.1 milionë eurosh ndaj ligës, si dhe dështimi për të paguar anëtarët e stafit, përfshirë lojtarët, trajnerët dhe stafin e klubit për muajt mars dhe prill 2025.
Po ashtu, kishte edhe shumë mangësi tjera të ndryshme financiare që janë listuar në njoftimin e FIGC.
Brescia kishte rënë nga Serie B sezonin e fundit dhe pjesa më e madhe e fajit për përjashtimin nga futbolli profesionist i është vënë pronarit Massimo Cellino.
Mbetet të shihet, nëse Brescia do të filloj garat nga Serie D apo do të shuhet përfundimisht për shkak të situatës kaotike që e ka kapluar.
Brescia ka luajtur për 23 vjet në Serie A dhe në radhët e veta kishte lojtarë si Roberto Baggio, Pep Guardiola, Gheorghe Hagi, Andrea Pirlo, Luca Toni, Sandro Tonali e Mario Balotelli.