Prej të mërkurës deri të dielën, Prishtina do të jetë kryeqendër e Kampionatit Evropian të lojërave elektronike e-Sports.
Kjo vlerësohet si ngjarja më e madhe që Kosova e ka organizuar ndonjëherë, duke pasur parasysh popullaritetin e lojërave elektronike.
Në këtë Evropian, do të marrin pjesë mbi 250 garues nga 24 shtete, ku 36 ekipe do të garojnë në tri disiplina: CS2, CS2 Women dhe Dota2.
Të martën, u organizua konferenca për shtyp, në të cilën u konfirmua se gjithçka është gati për këtë ngjarje madhështore.
I pari i Federatës ESports Kosova, Altin Preniqi, e nisi konferencën me një fjalim hapës.
Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Sportit, Daulina Osmani, theksoi se ky organizim është dëshmi e përkushtimit ndaj të rinjve për t’u dhënë atyre rastin që të dëshmohen.
Osmani gjithashtu bëri të ditur se në këtë kampionat evropian nuk do të marrë pjesë Serbia.
Sipas Osmanit, sportistët nga Serbia ishin të gatshëm të vinin në Kosovë, por vendimi për mospjesëmarrje ishte krejtësisht politik.
Në konferencë folën edhe presidenti i Federatës Evropiane të Esports (EEF), Karol Cagan, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esporteve (IESF), Boban Totovski, dhe lojtari nga Kosova, Flatron Halimi.
Halimi, i njohur si Flatro, tha se është privilegj ta përfaqësojë Kosovën.
Ceremonia hapëse e Evropianit mbahet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë dhe nis nga ora 12:00.
Njëri prej sponsorëve, e që do të përkujdeset për komoditetin e kësaj ngjarjeje të madhe dhe historike për lojërat kompjuterike, është edhe kompania e njohur TELKOS.