Wednesday, 6. May 2026
Sport

Ardon Jashari, futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit belg

GS 06/08/2025 2 Min. Lesezeit

Ardon Jashari ka lënë gjurmë të thella në futbollin belg vetëm pas një sezoni të kaluar atje, duke bërë një hap të madh në karrierën e tij.

Mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut pritet të zyrtarizohet si futbollist i ri i Milanit, pas një transferimi të bujshëm nga Club Brugge.

Jashari thuhet se te Milani do të bartë fanellën e numrin 30-të.

Jashari, i cili verën e kaluar u transferua nga Luzerni në Belgjikë, pati një sezon fantastik me Club Brugge, ku shkëlqeu me paraqitje mbresëlënëse dhe u shpall lojtari më i mirë i vitit në Jupiler Pro League, liga elitare belge.

Performanca e tij e lartë nuk kaloi pa u vënë re nga klubet e mëdha evropiane, por 23-vjeçari kishte një dëshirë të qartë, të luante për Milanin.

Dëshira iu realizua dhe tashmë ai është pjesë e skuadrës “Rossonere”.

Milani do të paguajë plot 39 milionë euro për kartonin e tij, përfshirë bonuset, duke e bërë Jasharin futbollistin më të shtrenjtë në historinë e futbollit belg.

Me këtë shifër, ai kalon edhe transferimin e Charles De Ketelaeres, i cili iu bashkua Milanit disa vite më parë për 37.5 milionë euro.

Teilen: