Pas pushimit për kombëtaret, Milani më në fund mund të mirëpresë përforcimin e tij të fundit, Adrien Rabiot. Mesfushori, i cili pak orë më parë përshëndeti Marsejën në rrjete sociale, ka mbërritur rreth orës 10:00 në aeroportin e Linate-s së bashku me bashkëkombësin e tij, Mike Maignan. Të dy më pas do të shkojnë në Milanello, ku 30-vjeçari do të ribashkohet me Max Allegrin, me të cilin ka ndarë një raport të fortë gjatë tri viteve tek Juventusi.
Rabiot, i cili u vërshëllye nga tifozët francezë në ndeshjen kundër Islandës disa ditë më parë (një rast ku Deschamps e mbrojti hapur para medieve), ka luajtur vetëm një ndeshje këtë sezon me Marseille, më 15 gusht, në humbjen kundër Rennes. Më pas ndodhi përplasja e famshme me shokun e skuadrës Roëe, të cilin do ta takojë sërish këtë të diel, kundër Bologna-s.
Në kombëtare, Rabiot ka marrë pjesë vetëm në dy ndeshje duke hyrë nga stoli, prandaj gjendja e tij fizike nuk është më e mira. Për këtë arsye, është e vështirë të imagjinohet si titullar në sfidën e së dielës mbrëma në ‘San Siro’, e vlefshme për Milan–Bologna. Më e mundshme është që ai të aktivizohet gjatë pjesës së dytë, me fanellën kuqezi me numrin 12.