Manchester United zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyer ndaj Chelsea-t, duke mbyllur 45 minutat e para me epërsinë 2-0. Ndeshja mori kthesë që në minutën e 5-të, kur portieri i londinezëve, Robert Sanchez, ndërhyri ashpër dhe u ndëshkua me karton të kuq direkt. Ky moment e vuri skuadrën e Enzo Maresca-s në vështirësi që në start, duke detyruar trajnerin të ndërhyjë me zëvendësime të shpejta.
Manhester United – Chelsea 2-0
United përfitoi menjëherë nga superioriteti numerik. Në minutën e 14-të, një krosim në zonë u devijua nga Dorgu, ndërsa Bruno Fernandes përfitoi dhe realizoi me saktësi për 1-0. Fillimisht, gjyqtari e çoi aksionin në VAR për dyshime pozicioni, por goli u konfirmua i rregullt.
Chelsea tentoi të reagonte, por loja u bë edhe më e vështirë pas zëvendësimeve të detyruara. Ndërkohë, Casemiro, megjithëse u ndëshkua me karton të verdhë pas një faulli të ashpër, ishte protagonist absolut në minutën e 37-të. Pas një asisti me kokë nga Maguire, braziliani u gjend në zonë dhe shënoi golin e dytë me një tjetër goditje të fuqishme me kokë.
United jo vetëm që dominoi në rezultat, por shfaqi qartësi taktike dhe efikasitet, duke i lënë Chelsea-t shumë pak hapësira për reagim.