Mesfushori i Manchester City-t, Rodri, nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjet e ardhshme të Spanjës kundër Gjeorgjisë dhe Bullgarisë. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF), pas dëmtimit që lojtari pësoi në ndeshjen e së dielës ndaj Brentford-it. Për momentin, RFEF nuk ka njoftuar ndonjë zëvendësues për mesfushorin.
Rodri u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 22 minutash lojë, pasi ndjeu shqetësime në pjesën e pasme të kofshës. Trajneri Pep Guardiola e zëvendësoi menjëherë me Nico González për të shmangur përkeqësimin e dëmtimit.
Në komunikatën zyrtare, RFEF deklaroi:
“Rodrigo Hernández largohet nga lista e të grumbulluarve të Kombëtares Spanjolle për shkak dëmtimi, për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Gjeorgjisë (në Elche) dhe Bullgarisë (në Valladolid), pas rezultateve të analizave mjekësore të dërguara nga klubi i tij tek shërbimet mjekësore të RFEF. Lojtari u zëvendësua të dielën në ndeshjen mes Brentford dhe Manchester City.”
Rodri i bashkohet kështu listës së mungesave të Spanjës, ku më parë ishte edhe Lamine Yamal, i cili është zëvendësuar nga Borja Iglesias.
Humbja e mesfushorit të City-t, që konsiderohet një nga liderët kryesorë të kombëtares së Luis de la Fuente, përbën një goditje të rëndësishme për Spanjën në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme drejt kualifikimit në Kupën e Botës 2026.