Në një intervistë për “The Guardian”, bomberi britanik, Harry Kane i ka kthyer një përgjigje, e cila nuk lë shumë vend për interpretim, pyetjes që iu drejtua rreth të ardhmes.
“Nëse më pyesni për të ardhmen në Mynih mund të them se e shikoj veten gjatë atje. Për momentin me Bayern-in nuk kam asnjë kontakt rreth rinovimit, por nëse do të vijnë sigurisht që do të ulemi dhe do të mbajmë një bashkëbisedim të ndershëm. Sigurisht gjithçka varet nga sezoni tjetër, të shikojmë si do të shkojë dhe çfarë do të fitojmë të gjithë së bashku. Por për momentin jemi në një çast fantastik dhe nuk po mendoj për asgjë tjetër”, tha Kane.
Në intervistë Kane tregon se pas titujve të parë të fituar me Bayern-in po mendon edhe për ato personal. “Do të më pëlqente që të fitoja ‘Topin e Artë’. Ai është një trofe që i shkon një individi, i cili ka qenë pjesë e skuadrës më të mirë dhe për këtë motiv mendoj se sezonin që vjen do ta fitojë një lojtar që fiton Champions-in ose Kupën e Botës. Pra është shumatorja e arritjeve individuale dhe ato të skuadrës. Mendoj se ky sezon mund të jetë i duhuri”, tha Kane, i cili ka shënuar plot 19 gola me Bayern-in dhe Anglinë këtë fillim sezoni.