Ish-kapiteni legjendar i Liverpoolit dhe Kombëtares së Anglisë, Steven Gerrard, ka reflektuar mbi arsyet pse “brezi i artë” anglez nuk arriti të fitojë asnjë trofe madhor, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm që kishte.
Në një intervistë për podcastin Rio Ferdinand Presents, Gerrard pranoi se rivalitetet mes klubeve të mëdha si Liverpool, Manchester United dhe Chelsea krijuan ndarje të thella në kombëtare dhe penguan krijimin e një grupi të bashkuar.
“Ne ishim humbës egoistë. Pse nuk u lidhëm kur ishim 20 apo 23 vjeç? A ishte ego apo rivalitet? Ne nuk ishim miq, nuk ishim një ekip i vërtetë,” – u shpreh Gerrard.
Sipas tij, Anglia kishte mjaftueshëm cilësi për të fituar trofe, por mungesa e unitetit dhe bashkëpunimit mes lojtarëve e bëri këtë të pamundur.
“Lojtarët ishin aty për të bërë më mirë, por nuk funksionon kur secili mendon për veten,” – shtoi ish-mesfushori.
Gerrard gjithashtu vlerësoi punën e Gareth Southgate, duke theksuar se trajneri aktual ka arritur të krijojë një atmosferë bashkimi që dikur mungonte:
“Southgate është nënvlerësuar për mënyrën se si ka ndërtuar një grup të fortë dhe të bashkuar.”
Sa i përket të ardhmes së tij si trajner, pas eksperiencave me Aston Villan dhe Al Ettifaqun, Gerrard la të hapur mundësinë e një rikthimi te Rangers, duke theksuar se dëshiron të jetë pjesë e një skuadre që garon për trofe:
“Dua të jem në një ekip që lufton për të fituar. Vetëm atëherë ndiej se jam në vendin e duhur.”