Ish-trajneri dhe legjenda e Barcelonës, Xavi Hernández, ka vlerësuar me fjalët më të larta talentin e ri të katalanasve, Lamine Yamal, duke e cilësuar si një lojtar të lindur për madhështi.
Në një intervistë për mediat spanjolle, Xavi theksoi se e ardhmja e 18-vjeçarit varet tërësisht nga dëshira dhe përkushtimi i tij për t’u përmirësuar çdo ditë.
“Lamine Yamal është një i zgjedhur. Ai mund të jetë një nga gjenitë më të mëdhenj në historinë e futbollit — por kjo varet prej tij, nga ambicia dhe pasioni që do të tregojë”, u shpreh Xavi.
Trajneri spanjoll kujtoi edhe momentin kur i dha Yamalit mundësinë të debutonte në ekipin e parë të Barcelonës, në moshën vetëm 15-vjeçare, duke pranuar se talenti i tij ishte i dukshëm që në stërvitjet e para.
“Yamal bënte gjëra që i shihje vetëm te Neymar apo Messi. E pashë menjëherë se ishte ndryshe — nuk kishte frikë, nuk kishte komplekse, dhe ishte gati të bënte diferencën,” – shtoi Xavi me admirim.
Sot, Lamine Yamal është një nga figurat më premtuese të futbollit evropian dhe një shtyllë e rëndësishme për të ardhmen e Barcelonës, duke treguar pjekuri dhe klas të jashtëzakonshme për moshën e tij të re.