Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është nderuar me Medaljen e Nderit nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë.
Në fjalën e tij pas marrjes së dekoratës, Infantino u shpreh thellësisht i emocionuar, duke e quajtur Kosovën një vend të mrekullueshëm që tashmë zë një vend të veçantë në zemrën e futbollit botëror.
“Është nder i madh dhe kënaqësi e madhe, emocion i madh dhe lumturi e madhe që të jem këtu, në shtëpinë time, në Kosovë. Ta pranoj këtë medalje nga ju, zonja Presidente, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova, është diçka që do ta mbaj gjithmonë me vete,” – u shpreh Infantino.
Presidenti i FIFA-s shtoi me humor se Prishtina, të paktën për një ditë, është bërë “kryeqyteti i botës së futbollit”.
“Kosova sot, Prishtina sot, është kryeqyteti i botës… të futbollit, por siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, prandaj është kryeqyteti i botës,” – tha ai mes duartrokitjeve.
Infantino e përmbylli fjalimin e tij me një dedikim të veçantë për legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrrin, të cilit ia kushtoi këtë nderim.
“Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje, këtë nder dhe këtë mirënjohje Fadil Vokrrit dhe gjithë popullit të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit,” – theksoi ai me emocion.
Kjo ceremoni simbolizon jo vetëm respektin e FIFA-s ndaj Kosovës, por edhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që futbolli kosovar po fiton në arenën ndërkombëtare.