Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ka vizituar dy herë Kosovën brenda tri vjetësh, por vizita e së mërkurës ishte e veçantë.
Pas vizitës së parë në vitin 2022, Infatino të mërkurën u dekorua me medalje nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë, Infantino ka marrë Medaljen e Nderit nga presidentja e Kosovës.
Infantino është shprehur i nderuar dhe tejet i lumtur për dekoratën, duke thënë se në Kosovë po ndihet si në shtëpi, ndërsa presidenten Osmani-Sadriu duke e vlerësuar si mikeshë.
“Është nder i madh dhe kënaqësi e madhe, emocion i madh e lumturi e madhe që të jem këtu në shtëpinë time, në Kosovë. Dhe ta pranoj këtë nder të madh, këtë medalje nga ju, presidentja e Republikës së Kosovës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova. Kosova sot dhe Prishtina sot është kryeqyteti i botës apo jo? I botës së futbollit… por siç e dimë të gjithë futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, kështu që është kryeqyteti i botës”, ka thënë Infantino.
Kreu i FIFA-s, medaljen ia ka dedikuar legjendës kosovare të futbollit, të ndjerit Fadil Vokrrit, duke mos anashkaluar as popullin e Kosovës.
“Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje, këtë nder e mirënjohje Fadil Vokrrit. Dhe të gjithë popullit të Kosovës në Kosovë e jashtë saj”, është shprehur Infantino.
Gjithashtu, Infantino ka folur edhe për takimet që i ka pasur me Vokrrin, si dhe ka kujtuar kohën kur Federata e Futbollit të Kosovës kërkonte pranimin në FIFA.
Në fakt, Infantino në Kongresin e tij të parë si president i FIFA-s, e ka pranuar FFK-në si anëtare më të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit.
Vet presidentja Osmani-Sadriu, ka vlerësuar Infantinon për mbështetjen që ia ka dhënë Kosovën në momente festive por më së shumti në ato sfiduese.
Ajo ka thënë se ishte pikërisht kontributi i Infatinos që ka bërë që secilit fëmijë të Kosovës ti jepet arsye për të ëndërruar.
Infantino me të arritur në aeroport është pritur nga kreu i FFK-së, Agim Ademi dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës, të cilët gjithashtu ishin të pranishëm në ceremoninë e dekorimit.
Krahas figurave të shumta, në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.