Thuajse 12 vjet pas aksidentit tragjik me ski në Alpe, gjendja e Michael Schumacher mbetet një nga sekretet më të ruajtura në botën e sportit. Legjenda e Formula 1 pësoi dëmtime të rënda në kokë pasi u godit nga një shkëmb, duke kaluar muaj të tërë në koma të induktuar. Që prej daljes nga spitali, ai është kujdesur me përkushtim në shtëpinë e familjes në Zvicër, nën mbikëqyrjen e bashkëshortes së tij besnike, Corinna Schumacher.
Familja ka vendosur që Schumacher të tërhiqet plotësisht nga jeta publike për të ruajtur privatësinë e tij. Informacionet për gjendjen e tij shëndetësore janë pothuajse inekzistente dhe vetëm tre persona jashtë familjes lejohen ta vizitojnë ish-kampionin e botës.
Njëri prej tyre është Jean Todt, ish-shefi i Ferrarit gjatë periudhës së artë të Schumacher-it (2000–2004), kur gjermani fitoi pesë tituj radhazi. Todt, që e konsideron Michael-in si mik të ngushtë, e viziton shpesh familjen dhe ka folur rrallë, por me ndjeshmëri për gjendjen e tij.
“Familja ka vendosur të mos flasë për këtë çështje dhe unë e respektoj plotësisht. E shoh rregullisht Michael-in dhe familjen e tij, me shumë dashuri. Ai është pjesë e jetës sime,” – u shpreh francezi për ‘La Repubblica’.
Në një intervistë tjetër për L’Équipe në vitin 2023, Todt pranoi me sinqeritet:
“Ai thjesht nuk është më Michael që njohim. Është ndryshe, por është i udhëhequr me mrekulli nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij, që e mbrojnë pa kushte.”
Vizitor tjetër i lejueshëm është Ross Brawn, inxhinieri që shoqëroi Schumacher-in që nga ditët e tij te Benetton në vitet ’90, e më pas te Ferrari dhe Mercedes. Ata formuan një partneritet legjendar që solli dominimin e Ferrarit në fillim të viteve 2000.
Familja Schumacher ka dy fëmijë: Mick, që ndoqi gjurmët e të atit në Formula 1 me Haas, dhe Gina-Maria, e cila u martua vitin e kaluar. Mediet gjermane kishin raportuar se Michael mund të ketë marrë pjesë fshehurazi në dasmë, por lajmi u hodh poshtë si “fake news”.
Për publikun, Michael Schumacher mbetet një figurë e dashur dhe e respektuar, ndërsa për miqtë e tij më të afërt, një hero që vazhdon të luftojë, i rrethuar nga dashuria dhe kujdesi i familjes së tij.


