Ekipi kombëtar i Izraelit ndodhet nën masa të rrepta sigurie në qytetin e Udines, përpara ndeshjes së sotme kundër Italisë, pasi autoritetet italiane kanë pozicionuar snajperë në çatitë e hotelit të skuadrës.
Sipas medidve italiane dhe “Times of Israel”, qyteti verior është vendosur në gjendje alarmi maksimal, pasi protestues propalestinezë kanë paralajmëruar një marshim masiv, pavarësisht nga armëpushimi aktual në Gaza.
Për shkak të tensioneve, dyqanet dhe restorantet në qytet janë mbyllur më herët, ndërsa autobusi i kombëtares izraelite do të udhëtojë drejt stadiumit “Bluenergy” me eskortë ushtarake.
Snajperë do të jenë të pozicionuar edhe në çatinë e stadiumit, së bashku me një prani të madhe të policisë dhe ushtrisë, për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka njoftuar se deri tani janë shitur vetëm 8,000 bileta për stadiumin me kapacitet 25,000 vendesh, ndërkohë që rreth 10,000 protestues pritet të mblidhen jashtë tij.
Zyrtarët kanë konfirmuar se ndeshja do të zhvillohet sipas planit, por nën masa sigurie të paprecedenta në historinë e ndeshjeve ndërkombëtare në Itali.


