Zyrtarët e disa qyteteve pritëse të Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara kanë reaguar me qetësi ndaj deklaratave të fundit të Presidentit Donald Trump, i cili tha se mund të kërkojë nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, që ndeshjet të zhvendosen në lokacione të tjera “nëse e sheh të nevojshme”.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Trump përmendi se disa qytete “nuk janë të sigurta”, duke lënë të kuptohet se mund të ndërhyjë për të ndryshuar planin e organizimit. Por zyrtarët lokalë e kanë cilësuar këtë kërcënim si të pabazë dhe pa ndikim real.
Kryetarja e bashkisë së Santa Clara-s, Kaliforni, Lisa Gillmor, reagoi ashpër:
“Çdo sugjerim se Santa Clara është e pasigurt nuk bazohet në asnjë fakt.”
Një tjetër zyrtar nga një prej qyteteve pritëse tha për POLITICO se “nuk ka asnjë arsye ligjore apo institucionale që këto deklarata të kenë pasoja reale.” Ai theksoi se marrëveshjet mes FIFA-s dhe qyteteve pritëse janë nënshkruar që në vitet 2017–2018, gjatë mandatit të parë të vetë Trump-it. “Nuk po i marrim seriozisht këto komente,” shtoi ai.
Zyrtarët konfirmuan gjithashtu se planet për Botërorin 2026 janë në zhvillim prej vitesh, me bashkëpunim dypartiak në të gjitha nivelet e qeverisjes, dhe se FIFA nuk ka dhënë asnjë sinjal për zhvendosje të mundshme të ndeshjeve.
Në Massachusetts, për shembull, ligjvënësit vazhdojnë përgatitjet për ndeshjet që do të zhvillohen në Boston, pavarësisht deklaratave të presidentit. Kryebashkiakja Michelle Wu reagoi duke thënë se:
“Nuk ekziston asnjë mundësi reale për të hequr ndeshjet e Botërorit. Marrëveshjet janë të garantuara me kontrata dhe asnjë individ, edhe nëse banon në Shtëpinë e Bardhë, nuk mund t’i prishë ato.”
Kupën e Botës 2026 do ta organizojnë SHBA, Meksika dhe Kanadaja, me ndeshje të planifikuara në 16 qytete të ndryshme, përfshirë New Yorkun, Los Angelesin, Dallasin, Bostonin, Miami-n dhe Santa Clara-n.
			

