Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në Barcelonë, për dy ndeshjet e fundit të fazës kualifikuese për Botërorin “Katar 2026” ndaj Andorrës dhe Anglisë.
Kuqezinjtë vijnë me moral të lartë pas tre fitoreve radhazi, ndërsa mbrojtësi Mario Mitaj shprehet optimist për vazhdimësinë e këtij momenti pozitiv. Në një prononcim për fshf.org, ai theksoi rëndësinë e sfidës së parë me Andorrën:
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, e dimë çfarë na pret dhe i njohim mirë kundërshtarët. Veçanërisht ndeshja e parë ndaj Andorrës është thelbësore, ndaj duhet të jemi maksimalisht të përqendruar,” – u shpreh Mitaj.
Ai shtoi se ekipi ndodhet në një moment shumë të mirë dhe se objektivi kryesor është fitorja:
“Vijmë pas tre fitoreve dhe jemi në formë të lartë. Besoj se do të vazhdojmë në të njëjtën linjë. Është një ndeshje që duhet ta fitojmë me çdo kusht. Të gjithë djemtë janë të motivuar dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, ndaj do të japim maksimumin,” – shtoi mbrojtësi.
Mitaj vlerësoi kundërshtarin e ardhshëm, por nënvizoi se besimi dhe përqendrimi do të jenë faktorët vendimtarë:
“I njohim mirë kundërshtarët si Andorra, që mbrohen fort dhe rrinë pas, por gjithçka do ta vendosë mënyra se si do të futemi ne në lojë dhe përqendrimi ynë,” – deklaroi ai.
Ai foli edhe për formën e tij në klub dhe ndikimin që ajo ka te Kombëtarja:
“Kur paraqitem mirë me klubin, kjo ndikon pozitivisht edhe te Kombëtarja. Jam i lumtur me performancat e mia dhe besoj se kjo do të reflektohet edhe në fushë me fanellën kuqezi,” – tha Mitaj.
Në përfundim, mbrojtësi theksoi objektivin kryesor të skuadrës për dy ndeshjet e ardhshme:
“Synimi ynë është i qartë – të sigurojmë play-off-in. Jemi shumë afër dhe kemi përpara dy ndeshje vendimtare. Fillimisht përqendrohemi te fitorja me Andorrën, më pas do të shohim Anglinë,” – përfundoi Mitaj.
Ndeshja Andorra – Shqipëri zhvillohet më 13 nëntor, në ora 20:45. Ndërsa tri ditë më vonë presin në shtëpi Anglinë, nga ora 18:00. / ATVLIVE.TV



