Sulmuesi Indrit Tuci ka folur në prag të ndeshjes që Shqipëria e luan në udhëtim ndaj Andorrës, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Kombëtarja shqiptare, të hënën pasdite ka nisur grumbullimin në Barcelonë dhe optimizmi është i madh te të gjithë futbollistët.
Të martën, në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, Tuci ka insistuar se kërkojnë triumfin ndaj Andorrës.
Ai ka insistuar se fokusi i Shqipërisë është te përballja me Andorrën që luhet të enjten, përpara se të mendojnë për duelin në Tiranë kundër Anglisë.
Tuci, që është rikthyer te Shqipëria, ka insistuar se Andorra nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë pasi e sheh si kundërshtar të papërshtatshëm.
Ka thënë se është e rëndësishme që Shqipëria të ketë paraqitje të mira në të dyja ndeshjet, duke shtuar se fillimisht duhet ta fitojnë Andorrën dhe pastaj të mendojnë për Anglinë.
Sipas tij, atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë janë maksimalisht të motivuar në prag të dy ndeshjeve të fundit në kuadër të Grupit K kualifikues.


