Dardanët vazhdojnë përgatitjet me përkushtim maksimal, Zabërgja dhe Bekaj optimistë para ndeshjeve vendimtare
Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare të këtij muaji kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026.
Sot, Dardanët zhvilluan stërvitjen e radhës në stadiumin “Fadil Vokrri” nën drejtimin e trajnerit Franco Foda. Disa lojtarë si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Elvis Rexhbeçaj dhe Muharrem Jashari bënë rigjenerim në palestër, ndërsa të tjerët kryen stërvitje intensive në fushë. Atmosfera është pozitive dhe futbollistët janë të përkushtuar për ndeshjet e rëndësishme që do të përcaktojnë fatin e kualifikimeve.
Pas stërvitjes, dy lojtarët Baton Zabërgja dhe Visar Bekaj folën për gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për ndeshjet e ardhshme.
“Jam shumë i lumtur për rikthimin dhe shpresoj që me seriozitet të kalojmë këto sfida dhe të arrijmë qëllimin tonë. Ndeshja me Slloveninë është shumë e rëndësishme, dhe synojmë të paktën një pikë, por kemi mundësinë të shkojmë për fitore. Ekipi është në nivel të jashtëzakonshëm,” tha Zabërgja, i rikthyer në skuadër pas lëndimit.
Bekaj shtoi: “Atmosfera është e shkëlqyer dhe të gjithë janë në formë të mirë. Ndeshja me Slloveninë është vendimtare, dhe shpresojmë të arrijmë rezultat pozitiv. Edhe në mungesë të disa lojtarëve kyç, besoj se do ta kalojmë këtë sfidë dhe do të luftojmë për rezultate pozitive.”
Kosova do të vazhdojë përgatitjet e saj për ndeshjen kundër Sllovenisë më 15 nëntor.



