Një raport alarmues i Observatorit Iberik kundër ksenofobisë ka zbuluar se Lamine Yamal është futbollisti që ka marrë më shumë fyerje raciste në Spanjë gjatë vitit 2025. Sulmuesi i ri i Barcelonës, vetëm 18 vjeç, udhëheq listën e urrejtjes me 60% të mesazheve raciste të regjistruara në internet, shumë më tepër se lojtarë si Rodrygo, Mbappé, Balde, Brahim Díaz apo Iñaki Williams.
Sipas raportit, janë analizuar jo vetëm incidentet në stadiume, por edhe ndërveprimet në rrjetet sociale, ku Yamal është bërë objekt i fyerjeve të shumta me përmbajtje raciste dhe islamofobe. Termat ofendues të përdorur ndaj tij kanë tronditur opinionin publik, duke rikthyer në qendër të debatit problemin e racizmit në futbollin spanjoll.
Fenomeni, me gjithë fushatat e ndërgjegjësimit, mbetet i përhapur në Spanjë. Në të kaluarën, figura të mëdha si Samuel Eto’o dhe Dani Alves kanë qenë po ashtu në shënjestër të fyerjeve raciste. Rasti i Eto’o-së në vitin 2006, gjatë ndeshjes mes Barcelonës dhe Real Zaragozës, bëri histori kur ai kërcënoi se do të largohej nga fusha për shkak të koreve raciste, ndërsa Alves, në vitin 2014, reagoi me ironi ndaj një tifozi të Villarrealit që i hodhi një banane, duke e ngrënë në vend.
Në vitet e fundit, Vinícius Júnior ka qenë në qendër të betejës kundër racizmit në La Liga, duke arritur që disa tifozë të dënohen për “krime urrejtjeje” dhe të përjashtohen nga stadiumet, një precedent i rëndësishëm në Spanjë.
Rasti i Lamine Yamal-it, që ishte ndër protagonistët e fitores së Spanjës në Kampionatin Evropian, tregon se problemi është ende i gjallë. Institucionet spanjolle janë ftuar të veprojnë me më shumë forcë për të mbrojtur lojtarët dhe për të garantuar se fushat e futbollit, si dhe rrjetet sociale, nuk do të bëhen më hapësira urrejtjeje.


