Robert Lewandowski ka reaguar pas zërave që qarkullojnë në Spanjë për një tërheqje të mundshme nga futbolli pas Kupës së Botës 2026, në rast se Barcelona nuk vendos të rinovojë kontratën e tij.
Sulmuesi polak, i cili aktualisht ndodhet me kombëtaren e Polonisë gjatë pushimit ndërkombëtar, u shpreh se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij, por ndien qetësi dhe nuk ka asnjë nxitim për të vendosur.
“Ende nuk e di se çfarë do të bëj për të ardhmen time te Barcelona,” – tha Lewandowski.
“Jam në paqe me veten dhe nuk kam asnjë nxitim për të vendosur. Edhe nëse klubi do të më telefononte tani, nuk do t’i përgjigjesha, sepse dua të ndiej çfarë është më e mira për mua.”
Sipas medieve spanjolle, Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick po planifikon të afrojë një sulmues më të ri dhe më produktiv në verën e ardhshme, çka mund të sinjalizojë fundin e aventurës së Lewandowski-t në “Camp Nou”.
Pavarësisht kësaj, 37-vjeçari mbetet një nga emrat më me përvojë dhe më të respektuar në futbollin evropian dhe vendimi i tij për të ardhmen pritet me interes të madh si në Spanjë, ashtu edhe në Poloni.


