Mesfushori holandez i Barcelonës, Frenkie de Jong, ka pranuar se ndonëse ka fituar disa trofe që nga transferimi i tij nga Ajax-i në verën e vitit 2019, mungesa e një trofeu të Ligës së Kampionëve e lë atë të pakënaqur me arritjet e deritanishme në “Camp Nou”.
Në një prononcim për ESPN, De Jong theksoi se ndien ende një boshllëk në karrierën e tij me Barcelonën, pavarësisht suksesit në kompeticionet vendase.
“Sezoni i kaluar ishte ndoshta më i miri për mua këtu, fituam kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Spanjës. Por kur luan për Barcelonën për gjashtë apo dhjetë vjet, duhet ta fitosh të paktën një herë Ligën e Kampionëve. Kështu që kam ende punë për të bërë,” u shpreh mesfushori.
Barcelona e Hansi Flick-ut ishte shumë pranë finales sezonin e kaluar, por u eliminua në mënyrë dramatike nga Interi në gjysmëfinale. De Jong beson se skuadra është e aftë të shkojë deri në fund këtë sezon dhe të kthejë në “Camp Nou” trofeun më prestigjioz evropian.
Që prej transferimit të tij në vitin 2019, De Jong është bërë një nga figurat më të rëndësishme të mesfushës katalanase, duke u shquar për qetësinë, inteligjencën taktike dhe aftësinë për të diktuar ritmin e lojës. Megjithatë, ai e pranon se karriera e tij në Barcelonë nuk do të jetë e plotë pa triumfin në Ligën e Kampionëve, një objektiv që, sipas tij, mbetet prioriteti kryesor në këtë sezon.

