Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka folur për fshf.org në prag të ndeshjes së parë miqësore të nëntorit ndaj Moldavisë.
Në fjalën e tij, tekniku kuqezi ka folur për ecurinë e përgatitjeve dhe ka vlerësuar kundërshtarin, duke theksuar se Moldavia është një ekip shumë i fortë në fushën e vet.
“Kemi bërë katër seanca stërvitore. Grupin e kemi të plotë, nuk kemi pasur dëmtime. Na kanë ndihmuar shumë këto ditë në stërvitje sepse kemi punuar shumë taktikisht. Dita e martë ka qenë shumë intensive, kemi punuar paradite dhe pasdite për të qenë sa më mirë ditën e ndeshjes.
Patjetër që është e rëndësishme, për ne çdo ndeshje është e rëndësishme. Pavarësisht se nuk luajmë në kualifikuese, i vlerësojmë maksimalisht këto ndeshje.
I kemi vlerësuar dhe në të shkuarën, por gjithsesi Moldavia është për t’u vlerësuar, sepse është një ekip mjaft i mirë, i fortë në fushën e vet. Të vendosin në vështirësi. Kanë vendosur ekipet e mëdha shumë në vështirësi në fushën e vet. Ne do mundohemi që t’i përgjigjemi ashtu siç dimë ne, me atë lojë që bëjmë ne. Të luajmë sa më fort, të jemi sa më bllok mbrapa dhe të ikim me kundërsulm sa më të shpejtë”, – tha Alban Bushi.
Ndeshja Moldavi U-21 – Shqipëri U-21, do të luhet nesër në qendrën stërvitore të Kombëtares moldave, në Vadul lui Vodă, në orën 12:00.


