Kriza në kombëtaren e Nigerisë është zgjidhur. Lojtarët e përfaqësueses afrikane, mes tyre edhe ‘ylli’ i Galatasaray-t, Victor Osimhen, kanë vendosur t’i japin fund bojkotit pas arritjes së një marrëveshjeje me Federatën Nigeriane të Futbollit.
Kujtojmë se futbollistët kishin refuzuar të merrnin pjesë në stërvitje për shkak të mosshlyerjes së bonuseve të premtuara nga ndeshjet e kaluara kualifikuese. Pas disa ditësh tension dhe negociatash intensive, palët kanë arritur një zgjidhje që garanton pagesën e shumave të prapambetura dhe një sistem të ri shpërblimesh për të ardhmen.
Burime pranë skuadrës raportojnë se ndërmjetësimi i disa prej lojtarëve më me ndikim, përfshirë Osimhen-in dhe kapitenin William Troost-Ekong, ka qenë vendimtar për arritjen e marrëveshjes.
Tani kombëtarja e Nigerisë do të rikthehet në përgatitje normale për ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës 2026, me synimin për të shmangur çdo problem të brendshëm dhe për t’u përqendruar tek objektivat sportivë.


