Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, është detyruar të lërë kampin e Kombëtares së Belgjikës pasi stafi mjekësor ka konfirmuar lëndimin e tij.
Sipas raportimeve nga mediat belge, Courtois ndjeu shqetësime gjatë stërvitjes me skuadrën kombëtare dhe pas ekzaminimeve mjekësore u vendos që ai të mos vazhdojë grumbullimin për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Lajmi ka shkaktuar shqetësim te tifozët belgë dhe te Real Madridi, pasi portieri 32-vjeçar sapo kishte rifituar formën pas një dëmtimi të rëndë që e mbajti për muaj të tërë jashtë fushave.
Federata belge ka konfirmuar largimin e tij nga grumbullimi me një njoftim zyrtar, duke uruar rikuperim të shpejtë për gardianin e tyre.
“Pas vlerësimeve mjekësore, u vendos që Thibaut të largohet nga kampi për t’u fokusuar në rikuperim,” – thuhet në komunikatën e Federatës.
Aktualisht nuk ka një afat zyrtar për rikthimin e Courtois, por sipas burimeve pranë Real Madridit, klubi do të ndjekë me kujdes gjendjen e tij fizike përpara rikthimit në ndeshjet e La Ligës dhe Ligës së Kampionëve.



