Sunday, 12. April 2026
Sport

Alban Bushi, pas fitores ndaj Moldavisë: Sikur shënova vetë, i thashë Burakut të gjuante në portë

GS 13/11/2025 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja shqiptare U21 arriti një fitore të rëndësishme miqësore ndaj Moldavisë me rezultatin 1-0, falë një goli të bukur të Burak Alilit në pjesën e parë. Pas ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Alban Bushi, u shpreh i kënaqur me performancën e skuadrës dhe veçanërisht me mënyrën si u zhvillua loja.

“Mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e parë ku ishim më të ekuilibruar dhe dominantë në mbajtjen e topit. Patëm disa raste të mira për të shënuar më shumë, ndërsa në pjesën e dytë Moldavia zotëroi më shumë topin, por pa krijuar rrezik serioz. Edhe ne patëm mundësi për golin e dytë, por në fund ruajtëm mirë avantazhin. Djemtë treguan karakter, sakrificë dhe forcë në mbrojtje, ashtu siç kërkon sistemi ynë 5-3-2,” – tha Bushi.

Trajneri tregoi edhe momentin e golit të fitores, duke zbuluar komunikimin me autorin, Burak Alilin:

“E kisha afër pankinës, pashë që portieri kishte dalë dhe i thashë ‘gjuaje në portë’. Ai më dëgjoi dhe shënoi. U ndjeva sikur e shënova vetë! E uroj Burakun dhe gjithë ekipin për këtë paraqitje, sepse ata janë ata që na bëjnë të lumtur.”

Në fund, Bushi foli edhe për ndeshjen e radhës ndaj Ukrainës më 17 nëntor:

“Ukraina është në një nivel më të lartë se Moldavia, por ne do të luajmë lojën tonë me intensitet dhe përkushtim. U them gjithmonë djemve të japin 100% në çdo minutë, të ruajnë ekuilibrin dhe të mbrojnë rezultatin me zgjuarsi.”

Ky sukses miqësor i jep besim kuqezinjve të rinj në prag të sfidave të ardhshme zyrtare.

Teilen: