Kombëtarja e Kosovës ka bërë histori, duke siguruar për herë të parë play-offin e Kupës së Botës 2026 pas një fitoreje të madhe si mysafire ndaj Sllovenisë.
“Dardanët” shkëlqyen në fushë dhe triumfuan bindshëm me rezultatin 0-2, transmeton lajmi.net.
Fisnik Asllani, autor i golit të parë, ishte një nga lojtarët më të vlerësuar të ndeshjes, duke marrë notën 7.5 nga “SofaScore”. Me të njëjtën notë u vlerësua edhe Florent Muslija, i cili pati një performancë të jashtëzakonshme, ndonëse nuk arriti të gjejë rrjetën, përkundër që kishte mundësi shënimi.
Edhe pjesa tjetër e ekipit të Kosovës mori nota pozitive për paraqitjen e tyre solide. Në anën tjetër, te Sllovenia, Brekalo u vlerësua dobët me notën 6.4, ndërsa Petar Stojanovic mori vetëm 3.2, pas dy kartonëve të verdhë që i sollën përjashtimin.
Të martën, Kosova luan ndeshjen e fundit në grup kundër Zvicrës, në stadiumin “Fadil Vokrri”./lajmi.net/


