Trajneri i Norvegjisë, Ståle Solbakken, doli para gazetarëve pas kualifikimit historik në Kupën e Botës 2026, një arritje që ka ndezur entuziazmin në gjithë vendin nordik. Në konferencën për shtyp, ai foli për disa tema të rëndësishme, nga forma e jashtëzakonshme e Erling Haaland deri te mënyra se si skuadra e tij e përjetoi suksesin.
I pyetur për duartrokitjet që tifozët e ‘San Siro’-s i rezervuan Haaland-it, Solbakken vlerësoi ndjenjën e fair play-it të publikut italian. “Duartrokitjet për Haaland? Kështu ndodh me lojtarët e mëdhenj. Këtu kanë parë Ibrahimovic-in, Shevchenko-n, Zanetti-n, Gullit-in, Klinsmann-in…”, u shpreh tekniku norvegjez.
Megjithatë, Solbakken pranoi se emocionet e fitores kanë mundur t’i shtyjnë lojtarët drejt festimeve më të zhurmshme seç duhej. “Ndoshta në fund e tepruam pak me festimet. Kërkova falje për këtë dhe ata e kuptuan”, theksoi ai.
Norvegjia tani e sheh veten mes më të mirëve të botës, ndërsa Solbakken synon që ky kualifikim të jetë vetëm fillimi i një cikli të ri suksesi.


