Përveç analizës së tij për Kombëtaren, Salvador Kaçaj ka ngritur edhe një shqetësim të madh që prek tifozët shqiptarë: politikën e çmimeve të biletave. Ish-mesfushori i Kombëtares e quan situatën “plagë të madhe”, duke theksuar se pikërisht tifozët kanë qenë forca më e madhe e skuadrës ndër vite.
“Tifozat Kuqezi kanë dhënë shumë për Kombëtaren dhe e kanë mbështetur në ditët më të vështira,” – thotë Kaçaj. Por sipas tij, çmimet aktuale janë krejtësisht të pajustifikueshme:
“Një biletë 500 euro nuk ka bërë vaki as në NBA, që është elita e botës. Në Tiranë, me gjithë hallet dhe problemet sociale, të shesësh bileta me 500, 300 apo 200 euro, është turp.”
Kaçaj shprehet se kjo është pasojë e mënyrës sesi funksionon Federata sot:
“Është turpi që bën SHPK-ja e Federatës. E kanë kthyer si SHPK. Por nuk dua të hyj më në këtë temë,” – përfundon ai, duke lënë të kuptohet se problemi është i thellë dhe i njohur nga të gjithë.
Shkrirja e pasionit të tifozëve me çmime të papërballueshme është një temë që vazhdon të ndezë debat, veçanërisht në prag të ndeshjeve vendimtare për Kombëtaren.


